Historia e Valeryd filloi në vitin 1958 kur sipërmarrësi Sigge Adolfsson nga Vedum u kërkoi vëllezërve Bernt dhe Per-Owe Larsson në Larv që ta ndihmonin. Ai donte një rimorkio që mund të lidhej me makinën e tij. Duhej të ishte e lehtë për të lehtësuar jetën e përditshme kur udhëtonte rrotull në ferma të ndryshme për të demonstruar produktet e tij.
Në atë kohë, vëllezërit Larsson menaxhonin një garazh dhe kishin një farë përvoje me konvertimin e rimorkiove për kamionë në rimorkio për traktorë. Vëllezërit pranuan sfidën e Sigge Adolfsson dhe brenda një kohe të shkurtër nga ofiçina e tyre doli rimorkioja e parë e lehtë pa frena. Nevoja për këtë lloj rimorkioje rezultoi e lartë dhe sipas kërkesës, aktivitetet e vëllezërve Larsson u rritën aq shumë sa u deshën të transferonin aktivitetin.
Ata zgjodhën të transferoheshin në Valeberg, që ndodhet gjashtë kilometra nga Larvi në afërsi të Rydit. Vëllezërit më pas krijuan emrin e kompanisë së re nga emri i zonës, ValeRydssläp (rimorkiot e ValeRyd). Brenda pak viteve, prodhimi në masë i rimorkiove u bë fakt dhe ata e zgjeruan gamën për të prodhuar rimorkio për transportimin e makinave, varkave dhe kuajve. Në vitin 1967, në fabrikë u prodhua transportuesi i parë i kuajve me strukturë A. Gjatë viteve ‘60, ‘70 dhe ‘80, aktivitetet e vëllezërve Larsson dhe Valeryd u rritën. Deri në vitin 1991, më shumë se 10 000 rimorkio dolën nga linja e prodhimit e Valeryd dhe, më e mira nga të gjitha, shumë prej tyre janë ende në përdorim!
Magnus Larsson që zotëron Grupin Valeryd dhe është i biri i themeluesit Per-Owe Larsson u rrit 200 metra larg fabrikës dhe atij i kujtohet se çfarë kuptimi ka pasur kjo për të:
“Kam shumë kujtime nga prodhimi, saldimi, montimi dhe nxjerrja nga fabrika kryesisht e rimorkiove me struktura të forta e të salduara prej çeliku dhe me pjesë anësore dhe dysheme prej druri. Fillova të punoj në prodhim shumë herët kur isha vetëm 10 vjeç dhe mora një koronë për çdo gomë që e vendosja në disk dhe e fryja. Duke përdorur mjete normale manuale, arrija të vendosja 30 goma në orë dhe të fitoja 30 korona. Pra, që në moshë të vogël e kuptova se puna shpërblehet”
Çdo brez i biznesit të familjes lë gjurmën e vet në operacionet e punës. Magnus Larsson e kuptoi me shpejtësi se ekzistonte një treg i gjerë për pjesë këmbimi për rimorkio të lehta. Valeryd filloi të zhvillojë një sistem konceptual për të plotësuar këtë kërkesë.
Në vitin 2018 Valeryd do të festojë 60-vjetorin e vet.